Trashëgimia Toksike: Kërcënimi i Heshtur për Trupin e Gruas

Hyrje

Plastika është kudo në jetën tonë, në ambalazhe, mobilie, elektronikë dhe madje edhe në produkte të kujdesit personal. Por, të fshehura brenda shumë prej këtyre produkteve plastike, ndodhen kimikate të rrezikshme që me kalimin e kohës dëmtojnë shëndetin tonë në mënyrë të heshtur. Ndotja plastike përbën një kërcënim të përhapur për shëndetin e njeriut, dhe gratë preken në mënyrë disproporcionale në mënyra që shkojnë përtej rreziqeve të shëndetit riprodhues. Këto ndikime negative në shëndet po dokumentohen gjithnjë e më shumë nga shkencëtarët, ndërsa shpesh publiku nuk njoftohet për këto studime alarmuese. Në këtë artikull do të shohim se si ndotja nga plastika po kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në sëmundjet që prekin shëndetin e grave, për shkak të kimikateve të ndryshme të përdorura në prodhimin e plastikës.

Shkëndija Toksike në Sistemin Tonë

Një studim nga Komisioni Minderoo-Monaco për Plastikat dhe Shëndetin e Njeriut, i kryer nga një numër i madh shkencëtarësh, ka rënë në përfundim se ndotja kimike nga plastika shkakton shumë pasoja negative për shëndetin e njeriut, përfshirë edhe atë të grave.

Një nga grupet e para të kimikateve që u studiuan janë PBB-të (polybrominated biphenyls). Këto kimikate dikur ishin përdorur gjerësisht si substanca të shtuara në materiale si plastika për t’i bërë ato më rezistente ndaj zjarrit. PBB-të u ndaluan në shumë vende pasi u konstatua se krijonin probleme serioze shëndetësore. Studimi analizoi mijëra njerëz që u ekspozuan aksidentalisht ndaj niveleve të larta të PBB-ve përmes ushqimit të kontaminuar. Ky studim afatgjatë tregoi se gratë me nivele të larta të PBB-ve kishin më shumë gjasa të zhvillonin kancer të gjirit, limfoma (një lloj kanceri që prek sistemin limfatik, pjesë e sistemit imunitar), dhe kancere të sistemit tretës si ai i zorrës së trashë apo stomakut.

Por edhe gratë që nuk janë pjesë e një ambienti shumë të ndotur, mund të dëmtohen. Ekspozimi i përditshëm edhe në nivele të ulëta ndaj PBB-ve përmes produkteve plastike apo pluhurit shtëpiak, është lidhur me probleme shëndetësore si:

Kanceri papilar i tiroides: forma më e zakonshme e kancerit të tiroides, që prek një gjëndër të vogël në qafë që kontrollon metabolizmin.

Diabeti i tipit 2: një sëmundje kronike që ndikon në mënyrën se si trupi proceson sheqerin.

Endometrioza infiltrative e thellë: një sëmundje e rëndë ku indi i ngjashëm me atë të brendshëm të mitrës rritet jashtë saj, duke shkaktuar dhimbje dhe shpesh duke ndikuar në fertilitet.

Benzofenonet dhe benzotiazolët janë kimikate të tjera që përdoren për të mbrojtur produktet plastike nga dëmtimi i dritës së diellit apo bakterieve. Megjithatë, ato janë zbuluar se përçajnë funksionimin e sistemit hormonal të grave.

Një tjetër shtesë e zakonshme në plastikë është BHT (butylated hydroxytoluene), një antioksidant sintetik që ndihmon në ruajtjen e ushqimeve dhe produkteve kozmetike. BHT ndodhet në gjithçka, nga patatinat dhe drithërat te locionet dhe buzëkuqët. Edhe pse është i lejuar në sasi të vogla, BHT është gjendur në trupin e pothuajse çdo personi të testuar. Gratë shpesh kanë nivele më të larta sesa burrat, ndoshta sepse përdorin më shumë produkte të kujdesit personal që përmbajnë BHT (Landrigan PJ, 2023).

Përfundim

Ajo që e bën këtë situatë edhe më shqetësuese është se këto ekspozime shpesh janë të paevitueshme dhe të qëndrueshme, që do të thotë se mbeten në mjedis dhe në trupin tonë për një kohë të gjatë. Ato grumbullohen ngadalë nga kontakti i përsëritur me objekte të përditshme: ambalazhet plastike, pluhuri i shtëpisë, produktet e bukurisë, duke u bërë pjesë e jetës sonë pa e vënë re fare.

Megjithatë, këto pasoja për shëndetin mund të zvogëlohen me hapa të vegjël që individët, veçanërisht gratë, mund t’i ndërmarrin. Ndryshimet e vogla në zakonet e përditshme mund të kenë një ndikim të madh. Mund të zvogëlojmë ekspozimin ndaj plastikës duke zgjedhur produkte të paketuara në karton në vend të plastikës, duke veshur rroba nga fibra natyrale si pambuku ose leshi, dhe duke pirë ujë të rubinetit në vend të atij nga shishet plastike. Këto zgjedhje të thjeshta janë praktike dhe të lehta për t’u zbatuar.

Në fund të fundit, informimi i grave mbi rreziqet shëndetësore të lidhura me ekspozimin ndaj plastikës është një çështje e të drejtave themelore të njeriut. Shpesh, fitimi vihet përpara mirëqenies së grave, prandaj ndërgjegjësimi dhe zgjedhjet e informuara janë më të nevojshme se kurrë.

Image slide

Image slide

Image slide

Image slide

Image slide

Image slide

Image slide

Image slide

Image slide